Nën kujdesin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ditën e djeshme më datë 24.12.2026, u organizua tryeza ndërinstitucionale me temë “Sfidat e procesit të riintegrimit të të burgosurve – Rruga drejt progresit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë që kontribuojnë në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të privuar nga liria.
Në fokus të diskutimeve ishin arritjet e sistemit penitenciar në fushën e rehabilitimit, sfidat e përbashkëta, forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimi i vazhdimësisë së mbështetjes për personat e privuar nga liria, gjatë vuajtjes së dënimit dhe pas rikthimit të tyre në komunitet.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua koordinimit të veprimeve dhe angazhimit të përbashkët institucional, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin social dhe parandalimin e përsëritjes së veprave penale.
Përmes kësaj iniciative, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve riafirmon angazhimin për konsolidimin e një sistemi të integruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të riintegrimit social, në funksion të reduktimit të recidivizmit dhe rritjes së sigurisë në shoqëri.
Një falënderim i veçantë për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës, Qendrën e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve dhe Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, për pjesëmarrjen, kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë tryezë.
Riintegrimi nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm.
Është një përgjegjësi e përbashkët, në funksion të individit dhe të sigurisë së shoqërisë.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.