» Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj.Sadleva Bodo,pret Drejtoreshën Kombëtare të Caritas-it Shqiptar, Juljana Reso: Në fokus rehabilitimi dhe riintegrimi social
Postuar më: 17/11/2026

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj.Sadleva Bodo,pret Drejtoreshën Kombëtare të Caritas-it Shqiptar, Juljana Reso: Në fokus rehabilitimi dhe riintegrimi social

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, mirëpriti sot në një takim Drejtoreshen Kombëtare të Caritas-it Shqiptar, znj. Juljana Reso.

Takimi shërbeu për të vlerësuar bashkëpunimin e konsoliduar ndër vite ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Caritas-it Shqiptar, si dhe për të diskutuar mbi mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të iniciativave të përbashkëta në mbështetje të rehabilitimit dhe riintegrimit socio-ekonomik të personave të privuar nga liria.

Vëmendje e veçantë iu kushtua programeve të zhvilluara në Institucionin e të Miturve Kavajë dhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Pojskë, të cilat kanë në fokus dy kategori veçanërisht vulnerabël: të miturit dhe gratë në konflikt me ligjin.

Në këtë kuadër, u diskutua edhe për rëndësinë e vijimit dhe forcimit të bashkëpunimit, me qëllim zgjerimin e mundësive dhe mbështetjes për personat e privuar nga liria, si gjatë vuajtjes së dënimit, ashtu edhe pas lirimit.

Mesazhi gjatë takimit ishte i qartë: Rehabilitimi nuk përfundon me vuajtjen e dënimit! Ai kërkon mbështetje të vazhdueshme, mundësi për arsimim, formim profesional, punësim dhe riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri. Ky proces kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e shumë aktorëve institucionalë e shoqërorë, veçanërisht të pushtetit vendor, institucioneve të punësimit, familjeve dhe komunitetit, për të krijuar mundësi reale dhe për të garantuar një rikthim dinjitoz të këtyre personave në jetën shoqërore.

Falënderojmë Caritas Europa dhe Caritas-in Shqiptar për partneritetin, përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar .