Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, znj. Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë inspektuese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Berat, ku u prit nga drejtuesit dhe stafi i institucionit.
Në nisje të vizitës, Drejtoresha e Përgjithshme zhvilloi një takim me punonjësit, duke vlerësuar rëndësinë e angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre në përmbushjen e detyrave funksionale.
Gjatë inspektimit u verifikuan nga afër të gjithë sektorët dhe elementët kryesorë të funksionimit të institucionit, me fokus të veçantë në garantimin e sigurisë, zbatimin e procedurave dhe masave të kontrollit, kushtet logjistike të akomodimit, ushqimit dhe fjetjes së personave të paraburgosur, si dhe funksionimin e shërbimit shëndetësor.
Vëmendje e posaçme iu kushtua gjendjes së furnizimit me pajisje mjekësore dhe medikamente, si dhe kushteve të higjienës dhe pastërtisë në ambientet e institucionit, të cilat u konstatuan në nivel të lartë.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me personat e paraburgosur. Drejtoresha Bodo dëgjoi shqetësimet, kërkesat dhe problematikat e paraqitura prej tyre, duke u njohur nga afër me kushtet dhe nevojat e tyre. Për çështjet e ngritura, ajo mori angazhim personal dhe orientoi strukturat përgjegjëse për shqyrtimin dhe trajtimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes konkrete të çdo problematike dhe marrjen e masave për zgjidhjen e tyre.
Vizita përkoi edhe me zhvillimin e një aktiviteti kulturor, ku një artist dhe regjisor shqiptar prezantoi filmin e tij, duke promovuar rolin e artit dhe kulturës në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve do të vijojë vizitat inspektuese në të gjitha institucionet penitenciare, me qëllim monitorimin e drejtpërdrejtë të punës, evidentimin e problematikave, forcimin e përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimin e standardeve të sigurisë, trajtimit me dinjitet, rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar dhe të paraburgosur, si dhe respektimit të të drejtave të tyre.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.