» SQARIM ZYRTAR
Postuar më: 23/04/2026

SQARIM ZYRTAR

Sqarim zyrtar
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot, më datë 22.04.2026, në IEVP Fier, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron si vijon:

Shtetasi L.B, i datëlindjes 01.07.1957, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “mashtrim”, me rreth 5 vite të mbetura për vuajtje dënimi, vuante nga disa sëmundje kronike, konkretisht: paraparezë inferiore, insuficiencë renale akute, hipokalemi severe, adenomë e gjendrës mbiveshkore, sëmundje ishemike të zemrës, hipertension arterial, kardiomiopati hipertensive, diabet mellitus, dhe ishte nën trajtim të vazhdueshëm me medikamente.

Në orët e para te mëngjesit të datës 22.04.2026, shtetasi është evidentuar nga infermieri i turnit me probleme shëndetësore. I është dhënë menjëherë ndihma e parë shëndetësore dhe është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier.

Rreth orës 08:20, nga mjekët e spitalit është konkluduar se shtetasi ka bërë “exitus letalis” (vdekje), me dyshim paraprak për arrest kardiak ose disekacion të aortës.

Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nr. 7335, datë 22.04.2026, “Për kryerjen e inspektimit”, është ngritur grupi i inspektimit i DPB për verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe procedurave të ndjekura.

Njëkohësisht, pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe garanton transparencë të plotë dhe informim të mëtejshëm të opinionit publik në përfundim të verifikimeve.