» Nënshkruhet marrëveshje mes Sindikatës së Policisë së Burgjeve dhe DP
Postuar më: 29/01/2026

Nënshkruhet marrëveshje mes Sindikatës së Policisë së Burgjeve dhe DP

Në Shkodër u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe Sindikatës së Policisë së Burgjeve, e drejtuar nga Valentin Macaj, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit të përhershëm mes sindikatës dhe institucionit ligjzbatues.

Marrëveshja synon krijimin e një kuadri të qëndrueshëm bashkëpunimi për përafrimin e legjislacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen graduale të pagave, si dhe zgjidhjen e problematikave të akumuluara ndër vite, përfshirë orët shtesë, dietat dhe transferimet e punonjësve. Vëmendje e veçantë i kushtohet programeve të motivimit dhe zhvillimit të karrierës për Policinë e Burgjeve.

Një element thelbësor i marrëveshjes është vendosja e një standardi të ri për sigurimin shëndetësor gjithëpërfshirës, përfshirë shërbimet dentare dhe mbulimin për familjarët, duke reflektuar angazhimin institucional për shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.

Gjatë takimit, sindikata kërkoi gjithashtu një marrëveshje me bankat për uljen e interesave të kredive për punonjësit. Drejtori i Përgjithshëm orientoi përfaqësuesit e sindikatës që të bashkërendojnë qëndrimet dhe të bien në një mendje, në mënyrë që të përfitojnë kushte më të favorshme financiare përmes një banke të vetme.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon se bashkëpunimi institucional, transparenca dhe dialogu i vazhdueshëm mes DPB dhe Sindikatës së Policisë së Burgjeve janë themeli për përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e sistemit të burgjeve