Buxheti i planifikuar për Sistemin e Burgjeve për vitin 2024 parashikohet të jetë 9.6 miliardë lekë, me një rritje prej 5.2% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, ka kërkuar një shtesë prej rreth 1.5 miliardë lekësh për të përmirësuar sigurinë fizike në institucionet penitenciare, duke përfshirë sisteme antidronë dhe pajisjen me armë të gjithë policëve të burgjeve.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, z. Qose bëri të ditur se për vitin 2025 buxheti do të arrijë po në nivelin e 9.6 miliardë lekëve, por me një nevojë për fonde shtesë prej 1.49 miliardë lekësh për projekte specifike që kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë dhe kushteve fizike të burgjeve. Kjo rritje përfshin:
– 1.19 miliardë lekë, për projekte të ndryshme, përfshirë pajisjen me armë të policisë së burgjeve.
– 1 miliard lekë, për përmirësimin e kushteve të jetesës për të dënuarit, përmes investimeve në infrastrukturën e institucioneve.
– 100 milion lekë, për avancimin e sistemeve të sigurisë, përfshirë teknologji të mbrojtjes nga dronët.
Për vitin e ardhshëm, janë planifikuar investime në vlerën e 700 milionë lekëve, të cilat do të përdoren kryesisht për instalimin e sistemeve antidronë dhe për ndërtimin e burgut të ri të Kukësit. Ndërkohë, pjesa më e madhe e buxhetit do të orientohet drejt pagave dhe mirëqenies së punonjësve të burgjeve.
“Buxheti i vitit 2025 është konceptuar për të siguruar një balancë mes përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së sigurisë. Prioritetet tona janë përmirësimi i kushteve të të dënuarve dhe garantimi i sigurisë maksimale për stafin dhe institucionet,” theksoi z. Qose.
Një tjetër projekt i rëndësishëm për vitin 2025 është ndërtimi i burgut të ri në Kukës, i cili do të zëvendësojë disa nga burgjet e vjetra që datojnë nga periudha e komunizmit, duke përmirësuar kështu standardet e trajtimit dhe sigurisë.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.