Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u zhvillua një takim i rëndësishëm me Sekretarin e Shtetit të Suedisë, z. Mikael Kullberg, dhe delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë Suedeze. Ky takim përforcoi marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Suedisë, duke e përqendruar vëmendjen te nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, me theks të veçantë në përmirësimin dhe reformimin e sistemit penitenciar.
Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira që synojnë forcimin e sigurisë, përmirësimin e kushteve brenda institucioneve penitenciare dhe rehabilitimin e të burgosurve. Palët vunë në dukje rëndësinë e zhvillimit të programeve të veçanta për trajtimin dhe risocializimin e të dënuarve, duke marrë shembull nga modelet suedeze, të cilat janë konsideruar si një nga më efektivet në Evropë.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit të sistemit penitenciar në Shqipëri, duke përfshirë aspekte të avancuara të menaxhimit të burgjeve dhe trajtimit të të burgosurve në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Pritet që bashkëpunimi i mëtejshëm të sjellë projekte konkrete që do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e standardeve në sistemin tonë.
Përmes këtij bashkëpunimi, Suedia dhe Shqipëria synojnë të rrisin efektivitetin e drejtësisë sociale dhe të promovojnë një qasje më humane dhe moderne në trajtimin e individëve në konflikt me ligjin.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.