» Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve zhvillon takim me përfaqësuesin e TIKA-s në Shqipëri
Postuar më: 25/09/2024

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve zhvillon takim me përfaqësuesin e TIKA-s në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Z. Klevis Qose, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shqipëri, Z. Mustafa Ata. Gjatë takimit, Z. Qose prezantoi një përmbledhje të plotë të sistemit penitenciar shqiptar, duke vënë theksin në përpjekjet për përmirësimin e performancës së personelit përmes Qendrës së Trajnimeve, e cila synon të ofrojë një gamë të plotë trajnimesh për të gjitha profesionet brenda sistemit.

“Në axhendën tonë kemi ndërtimin e një poligoni dhe një palestre të re, si pjesë e përmirësimeve infrastrukturore. Qeveria ka bërë maksimumin për të përmirësuar kushtet dhe kemi marrë miratimin për të implementuar sistemin antidron, duke synuar të jemi të parët në rajon që e aplikojmë këtë teknologji,” theksoi Z. Qose.

Për më tepër, Z. Qose kërkoi mbështetjen e TIKA-s edhe për projektin e burgut të hapur, një institucion që ka nevojë për përmirësime thelbësore në infrastrukturë, pasi aktualisht funksionon në kushte që datojnë nga periudha para viteve ’90.

Nga ana e tij, Z. Mustafa vlerësoi nismat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke theksuar se “çdo vit kemi një buxhet të dedikuar për mbështetjen e projekteve të tilla.” Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e TIKA-s për Qendrën e Trajnimeve dhe për të diskutuar mundësinë e realizimit të projekteve specifike për gratë dhe vajzat e burgosura, si dhe për të paraburgosurit.