» Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Klevis Qose raportoi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për veprimtarinë e institucionit të vitit 2023
Postuar më: 18/09/2024

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Klevis Qose raportoi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për veprimtarinë e institucionit të vitit 2023

Gjatë një seance raportimi në Komisionin e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, paraqiti një raport të detajuar mbi gjendjen aktuale të sistemit penitenciar në Shqipëri. Z. Qose u ndal tek sfidat kryesore me të cilat përballen institucionet e vuajtjes së dënimit dhe hapat që po ndërmerren për përmirësimin e tyre.

Në fjalën e tij, z. Qose theksoi rëndësinë e reformave që synojnë rritjen e nivelit të sigurisë në burgje dhe përmirësimin e rehabilitimit të të dënuarve, duke nënvizuar se siguria në sistemin penitenciar është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë në komunitete. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për pagat e ulëta të punonjësve të burgjeve, veçanërisht për policët me rol bazë, të cilët përballen me kushte shumë të vështira pune. Z. Qose tha se për shkak të natyrës sfiduese të punës së tyre, këta policë përjetojnë një formë të veçantë stresi dhe vështirësish që ai e përshkroi si: “Pa dashje ata kalojnë 7 vite burg, pa u dënuar”. Ai theksoi se rritja e pagave për këtë kategori është e domosdoshme për të siguruar një staf të motivuar dhe të aftë për të përballuar sfidat e përditshme që vijnë me menaxhimin e burgjeve. Gjithashtu, z. Qose përmendi bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë si një element kyç për standardizimin e sistemit penitenciar sipas modeleve më të avancuara evropiane dhe për përmirësimin e kushteve në burgje.

Në përmbyllje, Drejtori i Përgjithshëm shprehu angazhimin për të vazhduar reformat e nevojshme, për të garantuar sigurinë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe për të përmbushur standardet e kërkuara për një sistem të sigurt dhe funksional.