Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, mori pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga Instituti për Aktivizim dhe Ndryshim Social, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës me temë: “Burgje të Sigurta – Komunitete të Sigurta.”
Kjo konferencë, që mblodhi ekspertë të njohur nga fusha e drejtësisë, teolog, studius, kriminolog si dhe përfaqësues nga Parlamenti trajtoi disa nga çështjet më sfiduese të kohës sonë, përfshirë fenomenin e recidivizmit dhe radikalizimit, si brenda institucioneve penitenciare ashtu edhe jashtë tyre. Diskutimet u përqendruan në nevojën për të krijuar sisteme burgjesh që jo vetëm sigurojnë dënimin e duhur të shkelësve të ligjit, por që gjithashtu punojnë në drejtim të parandalimit të kthimit të tyre në krim dhe ekstremizëm.
Në fjalën e tij, z. Qose vuri theksin te përkushtimi i vazhdueshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të përmirësuar kushtet e jetesës brenda institucioneve dhe për të të trajtuar me dinjitet secilin të burgosur. “Burgu nuk është vetëm një vend dënimi,” tha z. Qose, “por një mjedis që duhet të përgatisë individët për një të ardhme më të ndritur, duke u mundësuar atyre të rikthehen në shoqëri si qytetarë të përgjegjshëm.”
Gjithashtu, z. Qose kërkoi që të mbahej një minutë heshtje për të nderuar viktimat e sulmeve tragjike të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kujtoi se kjo ngjarje shokuese, e shkaktuar nga grupet terroriste, mbetet një kujtesë e përhershme për nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke përfshirë masat e marra edhe brenda burgjeve për të ndaluar radikalizimin.
Z. Qose nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve për riintegrimin e të burgosurve, duke theksuar se çdo individ meriton një trajtim të drejtë dhe dinjitoz, si pjesë e angazhimit për të siguruar që ata të kenë mundësi të ndërtojnë një jetë të re pas lirimit. Ai u shpreh se përmes programeve të trajtimit dhe edukimit, burgjet mund të kontribuojnë jo vetëm në uljen e kriminalitetit, por edhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe të qëndrueshme.
Erinda Bilaca, Drejtore Ekzekutive, Instituti për Aktivizim dhe Ndryshim Social vuri theksin tek puna që duhet të bëjë sistemi i burgjeve për të riintegruar personat në konflikt me ligjin.
Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri u ndal në punën që duhet të bëjnë institucionet në minimizimin e krimeve.
Në panel ishte deputeti, Denis Deliu nga Komisioni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë, Kuvendi i Shqipërisë; Fabian Zhilla, Studiues/Kriminolog, Instituti Kanadez i Teknologjisë.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.