Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informon opinionin publik se më datë 10.03.2024 në orën 7:47 ka humbur jetën shtetasi Prend Kola si pasojë e arrest kardiak dhe paralizë.
Gjatë ndarjes së terapisë nga stafi shëndetësor në detyrë, rreth orës 07.30, në momentin që pacientit Prend Kola do ti injektohej insulina, u konstatua se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore. Pasi ju matën parametrat jetësor dhe ju dha ndihma e shpejtë, pacienti u shoqërua për në Spitalin Rajonal Durrës në orën 07:43, ku rrugës ndërroi jetë në prani të infermjerit të urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës dhe të infermjerit të IEVP Durrës.
Prend Kola është i biri i Gjonit, i datëlindjes 18.06.1955, lindur e banues në Lezhë, me shtetësi e kombësi shqiptare, i martuar. Shtetasi i burgosur ishte transferuar nga IEVP Shkodër në IEVP Durrës për të marrë asistencën mjekësore për shkak të sëmundjeve të tij shoqëruese dhe paaftësisë për ti shërbyer vetes me Hemipareze dexter.
Informojmë se shtetasi vuante nga një kompleks sëmundjesh dhe ishte me aftësi të kufizuar. Shtetasi i burgosur ishte i diagnostikuar me Dg. Status post AVC ishemik, Hemipareze dexter, Diabet mellitus, HTA St.ll dhe kishte kartelë klinikë me numër 5174.
IEVP Durrës ka njoftuar menjëherë Prokurorinë e Rrethit, Komisariatin e Policisë Durrës, Specialisti i ShKBB për veprime të mëtejshme hetimore.
Përfaqësues të DPB kanë shkuar në IEVP Durrës për të vlerësuar zbatimin e procedurave.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllime familjarëve dhe të afërmve.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.