Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Tepelenë ndodhej rreth 3 km larg qytetit të Tepelenës, në vendin e quajtur Shën Thanas. Gjatë periudhës së sistemit komunist ai njihej me emrin “Reparti 307 i Riedukimit”, i ndërtuar në vitin 1970 me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave dhe të Kolegjiumit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe.
Ky institucion konsiderohej i një rëndësie të veçantë dhe ishte nën varësinë e Drejtorisë së Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Në të dërgoheshin kryesisht persona që konsideroheshin të rrezikshëm për shoqërinë.
Pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, institucioni iu nënshtrua disa rikonstruksioneve të financuara nga buxheti i shtetit. Sipas urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, IEVP Tepelenë ishte kategorizuar si burg i sigurisë së lartë, me një seksion sigurie të zakonshme dhe një seksion paraburgimi. Kapaciteti i tij ishte 75 persona.
Në institucion organizoheshin aktivitete edukative, kampionate sportive në futboll, volejboll, basketboll dhe shah, si dhe aktivitete kulturore e artistike me rastin e festave zyrtare dhe fetare. Gjithashtu ofroheshin shërbime shëndetësore dhe stomatologjike 24 orë, si dhe shërbime të tjera ditore, përfshirë bibliotekën, kurset profesionale dhe organizimin e shërbesave fetare.
Aktualisht, IEVP Tepelenë është mbyllur dhe nuk funksionon më si institucion i ekzekutimit të vendimeve penale.
© Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.