IEVP Lezhë

Historiku i IEVP Lezhë është përgatitur mbi bazën e informacionit të siguruar nga punonjës të institucionit që kanë ushtruar detyrën që prej rihapjes së tij, si dhe nga dokumentacioni zyrtar i administruar në IEVP Lezhë. Për periudhën për të cilën nuk disponohet dokumentacion zyrtar, informacioni bazohet në të dhënat e marra në rrugë jozyrtare nga punonjës me eksperiencë të gjatë në institucion. Ndërsa të gjitha ngjarjet e shoqëruara me data, numra urdhrash dhe akte administrative mbështeten në dokumentacionin zyrtar të administruar në IEVP Lezhë.

  • 13.03.1997 – Institucioni u mbyll.
  • 2005 – Institucioni u rihap. U akomoduan të paraburgosur, të dënuar dhe të mitur. U vunë në funksion 5 godina.
  • 2011–2014 – Institucioni trajtoi të burgosur të sigurisë së lartë, të sigurisë së zakonshme, të paraburgosur dhe të mitur.
  • 2014 – Të dënuarit e sigurisë së lartë u transferuan në institucione të tjera.
  • 27.09.2018 – Me Urdhrin nr. 8927/1, “Për klasifikimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale”, IEVP Lezhë u klasifikua si burg i sigurisë së zakonshme, me një seksion të sigurisë së zakonshme, një seksion paraburgimi dhe një seksion të veçantë për trajtimin e shtetasve me masë mjekësore “Mjekim i Detyruar”. Institucioni funksiononte me 5 godina.
  • 2019 – Të miturit u transferuan dhe, prej këtij viti, nuk u pranuan më në institucion.
  • 2019 – Pas tërmetit, të dënuarit u transferuan; godinat 2 dhe 3 dolën jashtë funksionit, ndërsa mbeti në funksion vetëm godina 1 për të paraburgosurit.
  • 08.08.2020 – U akomoduan 15 shtetasit e parë me masë mjekësore, të transferuar nga IEVP Zahari.
  • 27–28.11.2021 – U transferuan dhe u akomoduan rreth 300 persona të tjerë me masa mjekësore, të cilët u sistemuan në godinat 1, 4 dhe 5.
  • 01.06.2024 – Të paraburgosurit e akomoduar në godinën 1 u transferuan, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit. Në funksion mbetën vetëm godinat 4 dhe 5, të dedikuara për shtetasit me masa mjekësore.
  • 16.12.2024 – Me Urdhrin nr. 624, “Për klasifikimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale”, IEVP Lezhë u klasifikua si institucion për të dënuarit e rritur, institucion paraburgimi dhe institucion i kujdesit shëndetësor për personat ndaj të cilëve gjykata ka vendosur zbatimin e masave mjekësore të detyrueshme, me një seksion të sigurisë së zakonshme, një seksion paraburgimi dhe një seksion për personat me masa mjekësore të detyrueshme.

Aktualisht, në IEVP Lezhë akomodohen vetëm shtetas ndaj të cilëve gjykata ka vendosur zbatimin e masave mjekësore të detyrueshme.

Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Shënkoll, Lezhë
Numër kontakti: 0686056012

Email: info.ievplezhe@dpbsh.gov.al