» Drejtori i Përgjithshëm Klevis Qose viziton IEVP Reç së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve fetare
Postuar më: 17/11/2025

Drejtori i Përgjithshëm Klevis Qose viziton IEVP Reç së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve fetare

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, zhvilloi sot një vizitë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Reç, së bashku me përfaqësues të komuniteteve fetare në vend.

 

Qëllimi i vizitës ishte inspektimi i ambienteve të përshtatura posaçërisht për t’u mundësuar personave në konflikt me ligjin ushtrimin e lirshëm të besimit dhe praktikave të tyre fetare.

 

Në pritje të delegacionit ishte Drejtori i IEVP Reç, z. Algert Cekrezi, i cili prezantoi punën e bërë nga stafi për përmirësimin e kushteve të brendshme dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për ushtrimin e riteve fetare.

 

Gjatë vizitës, z. Qose vlerësoi angazhimin e drejtorit Cekrezi dhe të stafit të institucionit për respektimin e standardeve humane dhe garantimin e të drejtave themelore të të dënuarve. Ai theksoi se bashkëpunimi me komunitetet fetare është një shtyllë e rëndësishme për riintegrimin dhe edukimin moral e shpirtëror të personave që vuajnë dënimin.

 

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komuniteteve fetare shprehën mirënjohje dhe mbështetje për përpjekjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të stafit të IEVP Reç, duke vënë në dukje se ndihma shpirtërore është një element thelbësor për riformimin dhe rikthimin e të dënuarve në shoqëri.

 

Vizita u mbyll me një tur në ambientet e reja të përshtatura, ku z. Qose, z. Cekrezi dhe përfaqësuesit fetarë patën mundësinë të zhvillonin biseda me të dënuarit dhe stafin, duke theksuar rëndësinë e respektimit të diversitetit fetar dhe promovimit të harmonisë ndërfetare në sistemin penitenciar.