Trajtimi dhe respektimi i të drejtave të personave me liri të kufizuar

Trajtimi dhe respektimi i të drejtave të personave me liri të kufizuar

i. Hyrje

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB) është një institucion nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Detyra kryesore është menaxhimi i institucioneve penale, si dhe krijimi i kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke e shndërruar dënimin penal në një mundësi riedukimi.

Objektivat kryesorë të sistemit përfshijnë:

  1. Mbajtja e të burgosurve dhe paraburgosurve në kushte të përshtatshme sigurie dhe strehimi
  2. Trajtimi human i të dënuarve dhe paraburgosurve
  3. Drejtimi në efiçensë dhe efektivitet i aktivitetit të përgjithshëm në burgje dhe paraburgime

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nën varësinë e saj 21 institucione penitenciare me një kapacitet për 4417 persona. Institucionet Penitenciare janë autoritete administrative të cilat ekzekutojnë vendimet e dhëna nga gjykata për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e personave. Aktualisht në vendin tonë ndodhen 19 burgje, 1 Spital Burgu dhe 1 Institut për të Miturit në qytetin e Kavajës. Shifra mesatare e mbipopullimit është 368 persona mbi kapacitetin e burgjeve.

ii. Trajtimi dhe Respektimi i të Drejtave të Personave me Liri të Kufizuar

Në kuadër të garantimit të drejtave dhe lirive themelore të individit, përfshirë të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, Qeveria Shqiptare e konsideron angazhim parësor, zbatimin e detyrimeve për të siguruar sipas standardeve evropiane, trajtimin e personave të paraburgosur apo të dënuar dhe shndërrimin e dënimit penal, në një mundësi të rehabilitimit social.Duke u bazuar në aktet ligjore e nënligjore, janë përmirësuar ndjeshëmtë drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve, në lidhje me rritjen e orëve të ajrimit për të gjithë kategoritë e të burgosurve, shtimin e orëve të takimit me familjarët dhe të afërmit, shtimin e numrit të telefonatave, shtimin e aktiviteteve kulturore e sportive, përmirësimin e procedurave për të drejtën e kërkesës dhe ankesës, janë krijuar lehtësira në marrëdhëniet e të dënuarve me avokatët dhe Avokatin e Popullit. Në bashkëpunim me Institucionin e Avokati të Popullit, që prej vitit 2008, janë hapur kutia postare në çdo IEVP, ku të paraburgosurit dhe të dënuarit, paraqesin pranë këtij institucioni, të gjitha kërkesat dhe pretendimet e tyre.

Kushtet e institucioneve penale në Shqipëri mund të ndahen në dy kategori: Institucione të cilat janë të trashëguara nga sistemi i kaluar si psh. 302 tek Mine Peza, Tepelena, Burreli, 313 tek Jordan Misja, etj dhe institucione të cilat janë ngritur pas viteve ’90. Institucionet që janë trashëguar nga sistemi i kaluar, nuk përmbushin standardet optimale për trajtimin e personave me liri të kufizuar. Megjithatë, janë bërë ndërhyrje për rikonstruksionin e këtyre institucioneve dhe adaptime të ambienteve, për të krijuar kushte sa më normale, për personat me liri të kufizuar.

Institucionet që janë hapur gjatë viteve të fundit, janë konceptuar jo vetëm si qendra dënimi, por si qendra që mund të shërbejnë për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar, duke filluar me ndërtimin e kulteve fetare në institucion, klasave për kurse të ndryshme, biblioteka, fusha sportive, qendër shëndetësore, fushat e ajrimit, etj.

Projekte për investime të reja: Bazuar në Master-Planin për përmirësimin e sistemit të paraburgimit në Shqipëri, me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Evropian, deri në vitin 2013, është planifikuar hapja e tre institucioneve të reja paraburgimi (Elbasan, Berat dhe Fier), me vënien në funksion të cilave, do të mbyllen disa prej institucioneve të vjetra.

 

Projekti

Buxheti

Kapaciteti

1. Ndërtim Qendër Paraburgimi Elbasan

 

IPA 2007

 

IPA

Ndërtimi 3.4 milion Euro

 

Pajisje/Mobilim 500.000 Euro

 

 

Qeveria Shqiptare

TVSH + Kosto Lokale

 

615 milion lekë

120 të paraburgosur

2. Ndërtim Qendër paraburgimi Berat

 

IPA 2008

IPA

Ndërtimi 4.7 milion Euro

 

 

Qeveria Shqiptare

TVSH + Kosto Lokale

 

165 milion lekë

100 të paraburgosur

3. Ndërtim Qendër Paraburgimi dhe Burg Fier

 

IPA 2007-2010

IPA

Ndërtimi 17.3 milion Euro

 

Pajisje mobilim 1.7 milion Euro

 

 

Qeveria Shqiptare

TVSH + Kosto Lokale

 

560 milion lekë

 

180 të paraburgosur dhe 600 të dënuar

 

Totali: 780

 

Hapja e seksioneve të kujdesit të veçantë u aplikua për herë të parë në prill të vitit 2010. Ky është një projekt pilot, që filloi në Fushë-Krujë, Ali Demi, Lezhë, Peqin, Vlorë dhe Durrës. Programi i të burgosurve në këto seksione, përfshin kryesisht shërbim psiko-social dhe terapi intensive, me qëllim rehabilitimin e personave me çrregullime mendore dhe atyre të cilët kanë vartësi nga substancat narkotike. Në shumë raste, krijoheshin konflikte si pasojë e diversitetit të sjelljes, të cilat ndikonin në prishjen e qetësisë në institucione. 81 të dënuarit që janë vendosur në këto seksione, nuk kanë kontakte me të dënuarit e tjerë dhe vetëm pasi konsiderohen të rehabilituar, mund t’i bashkohen kategorisë tjetër të grupit.

Komisioni i Vlerësimit të Punës së Dënuarve dhe Paraburgosurve, i përbërë nga përfaqësues të DPB-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, në korrik të vitit 2010, përgatiti organikat e punësimit, për një numër prej 606 të burgosurish, të cilët do të përfitojnë sigurimet shoqërore dhe do të shpërblehen sipas punës së kryer. Këto organika janë në proces miratimi në MD.

Arsimimi i të dënuarve. 163 të dënuar në 5institucione (Peqin, Korçë, Vaqarr, Fushë-Krujë),kanë përfunduar ciklin mësimor 9 vjeçar, për vitin 2011-2012. Shkolla e parë u hap në Peqin në vitin 2009, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis MD dhe MASH. Në vitin 2010, u bë e mundur aplikimi dhe hapja e sistemit 9-vjeçar edhe në Institutin e të Miturve në Kavajë.Në këtë institut, përfunduan procesin mësimor 24 të mitur.

Rëndësi i është dhënë dhe formimit profesional të dënuarve dhe paraburgosurve në specialitete të ndryshme si kuzhinë, punë dore, kopshtari, kurse të gjuhëve të huaja dhe kompjuterit, parukeri, etj. Në vitin 2012, nga këto kurse kanë përfituar 745 të dënuar dhe paraburgosur, të cilët janë pajisur me certifikatë të njohur nga MPÇSSHB.

Stafet e edukimit në institucionet penale, i kanë dhënë rëndësi shtimit të numrit të aktiviteteve të ndryshme, pasi ndikojnë në rehabilitimin e kësaj kategorie. Në krahasim me vitin 2011, vihet re një rritje e numrit të aktiviteteve social-edukuese, sportive dhe kulturore. Gjatë gjashtë mujorit të parë të 2012 janë organizuar:

398 aktivitete sociale

523 aktivitete sportive

198 aktivitete kulturore

 

Mesatarisht në 1 muaj, të dënuarit janë të përfshirë në 77 orë aktivitete sportive, 15 orë në muaj aktivitete kulturore dhe 24 orë në muaj aktivitete sociale.

 

Shërbimi Shëndetësor. është bërë një strukturim i ri i stafit shëndetësor në burgje dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor. Mesatarisht, një institucion penal ka në strukturën e tij 1 mjek të përgjithshëm, një stomatolog, një farmacist dhe katër infermierë. Të dënuarit dhe të paraburgosurit i nënshtrohen ekzaminimeve shëndetësore që në momentin e mbërritjes në institucion. Më pas, ata pajisen me Kartelën Mjekësore dhe Stomatologjike, ku i përcaktohet trajtimi që duhet të ndjekin dhe u ofrohet asistencë mjekësore e specializuar në vendin e vuajtjes së dënimit. Gjithashtu është realizuar edhe unifikimi i dokumentacionit shëndetësor në të gjithë sistemin.

Shpërndarja e të burgosurve dhe dënuarve pranë qendrave të banimit. Sipas Rregullave Evropiane të Burgjeve, të burgosurit vendosen, për sa është e mundur, në burgje pranë shtëpive të tyre ose vendeve të rehabilitimit social. Në pajtim me ligjin nr 8328 “Mbi të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, neni 31: “Respektohet kriteri i sistemimit të burgosurve në institucione që janë pranë vendndodhjes së familjeve të tyre.” Zbatimi i parimit rajonal, lehtëson rehabilitimin, liron barrën e familjeve dhe siguron që të liruarit me kusht të jenë në një distancë të afërt komunikimi me gjykatat dhe këshillimin ligjor.

Korrespondenca. Mbështetur në nenin 60 të VKM-së nr. 303 datë 25/03/2009, të ndryshuar, i burgosuri ka të drejtë të mbajë korrespondencë. Për të burgosurit që nuk i kanë mundësitë, personeli i IEVP, vë në dispozicion mjetet e nevojshme për korrespondencë. Korrespondenca hidhet në kutinë postare të IEVP. Letrat merren nga një punonjës i postës, dy herë në javë dhe postohen sipas destinacionit. Shpërndarja e korrespondencës së ardhur, bëhet nga personeli i IEVP duke ruajtur fshehtësinë e saj.

Lidhjet me familjen. Sipas legjislacionit në fuqi të burgosurit kanë të drejtë të takojnë familjarët dhe të afërmit e tyre. Këto takime realizohen 4 herë në muaj dhe zgjasin 30 minuta.I burgosuri ndër të tjera 1 herë në muaj ka të drejtën e një takimi të zgjatur me bashkëshortin/en. Për gratë e dënuara dhe të miturit bëhet një program i posaçëm dhe favorizues për lidhjet me familjen. Për gratë e burgosura shtatzënë ose me fëmijë deri në 3 vjeç funksionon çerdhja me shërbim 24 orësh pranë IEVP. Për gratë e dënuara me fëmijë në institucionet rezidenciale për fëmijë zhvillohet një program i veçantë “Prindërimi në distancë”.Për të burgosurit që për arsye të ndryshme personale nuk kanë kontakt me familjarët e tyre, institucionet nëpërmjet punonjësve socialë synojnë në rivendosjen e këtyre kontakteve. Mesatarisht në një muaj në të gjitha IEVP realizohen 9523 takime me familjarët dhe 490 takime të veçanta.

Telefonatat. Në zbatim të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, neni 61, të burgosurit i lejohet korrespondenca telefonike 8 (tetë) herë në muaj me familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij. Për çdo bisedë telefonike, i burgosuri deklaron numrin e telefonit drejt të cilit do të kryhet thirrja dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 10 minuta. Të burgosurvetë mitur iu lejohet korrespondenca telefonike 16 herë në muaj. Në rastet kur të burgosurit nuk kanë mjete financiare për të kryer biseda telefonike me familjarët, iu sigurohet korrespondenca telefonike 1 herë në muaj deri në 5 minuta me shpenzimet e institucionit.

Kontaktet me përfaqësuesit diplomatikë për të burgosurit me shtetësi të huaj. Në zbatim të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, neni 62, të burgosurit me shtetësi të huaj i krijohen të gjitha lehtësitë e nevojshme për komunikimin me përfaqësuesit diplomatikë ose konsullorë të shtetit përkatës. Të burgosurit, shteti i të cilit nuk ka përfaqësi në Republikën e Shqipërisë, refugjatëve, si dhe personave pa shtetësi, u krijohen të njëjtat lehtësira për të komunikuar me përfaqësuesit diplomatike të shtetit që merr përsipër mbrojtjen e interesave të tyre ose me autoritetet kombëtare apo ndërkombëtare që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e interesave të këtyre personave.

Lejet shpërblyese dhe lejet e veçanta. Për tëburgosurit që përmbushin kriteret ligjore aplikohet dhënia e lejeve shpërblyese (neni 69)ose e lejeve të veçanta (neni70). Kjo gjë synon ruajtjen e kontakteve me jashtë. Leja shpërblyese nuk mund të jepet më shumë se 10 ditë dhe në total nuk mund të jetë për më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast dhe në total nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Në çdo rast, nga miratimi i lejes shpërblyese të fundit duhet të kenë kaluar të paktën 3 muaj. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë, vetëm për rastet e sëmundjeve të rënda, pasi i burgosuri të ketë plotësuar kërkesat e parashikuara në dispozitat ligjore.

Biblioteka. Frekuentimi i bibliotekës përbën një element kryesor për pasurimin e jetës kulturore të personave me liri të kufizuar. Numri mesatar i të burgosurve që frekuentojnë bibliotekën gjatë një muaji është 1809 të burgosur. Në përgjithësi janë krijuar kushtet me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe organizatave të ndryshme joqeveritare që në çdo IEVP të ketë një shumëllojshmëri librash dhe tematikash në bibliotekat e tyre. Interesim më i madh, vihet re në tematikat letrare, artistike dhe libra fetar.

 

Përmirësimi i mekanizmit të kërkesë ankesave. Çështja e përmirësimit të trajtimit të kërkesë - ankesës ka qenë në vëmendjen kryesore të DPB-së dhe është reflektuar në planin e masave për përmbushjen e rekomandimeve të CPT-së. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit është ngritur një grup pune në DPB për përmirësimin e mekanizmit aktual të trajtimit të kërkesë ankesës. Grupi i punës ka realizuar unifikimin e formateve të kërkesës dhe ankesës bazuar në modelin anglez të trajtimit të tyre. Gjithashtu është hartuar dhe një protokoll i cili do të shërbejë si udhëzues për të dënuarit në mënyrë që të lehtësojë dhe të përmirësojë plotësimin e formateve nga ana e të dënuarve.

 

Kërkesat nga media. Pasqyrimi i jetës së personave me liri të kufizuar në median vizive dhe të shkruar, shihet si element i rëndësishëm në shprehjen e mendimit të lirë dhe stimulimit të komunikimit me botën e jashtme. Historitë personale të personave me liri të kufizuar, problematikat që shoqërojnë të mbyllurit në një institucion penal, si dhe drama familjare që krijohet, janë bërë çështje të diskutimit në shumë programe televizive. Gjatë vitit 2012, janë dhënë 12 autorizime për mediume të ndryshme, për të ndjekur nga afër mënyrën e jetës dhe programin e një dite në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

 

Bashkëpunimi me institucione të tjera.Për tu vlerësuar mbetet dhe bashkëpunimi mjaft i mirë me organizatat jo qeveritare, të cilat janë duke implementuar një sërë projektesh në sistemin e burgjeve. 17 marrëveshje bashkëpunimi janë lidhur me organizata jo qeveritare dhe institucione shkollore, ku ndër të tjera synohet përmirësimi i sistemit të komunikimit të burgosurve.

Rritja profesionale e stafit. Është viti i dytë që po zbatohet me sukses programi i trajnimit gjashtë javor me punonjësit e rolit bazë. Vihet re se ka një interesim gjithnjë në rritje nga punonjësit dhe drejtuesit për trajnime, duke e pare këtë të lidhur ngushte me cilësinë e shërbimit. Qendra e Trajnimeve ka kryer 226 dite trajnim, ku janë përfshirë 617 punonjës. Të ndarë sipas kategorive janë, 466 punonjës të shërbimit të sigurisë të trajnuar me program 6 javor, 38 punonjës të shërbimit të sigurisë të nivelit të mesëm dhe 132 punonjës të shërbimeve të tjera.

 

Respektimi i Rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Zbatimi i rekomandimeve të këtij institucioni mbetet prioritet kryesor i sistemit penitenciar. Që në fillim të vitit 2012, u evidentuan të gjitha rekomandimet e AP-së në raportin vjetor 2011, për të cilat iu përgatitën plane pune për zbatimin e tyre dhe inspektime specifike. Gjatë vitit 2012, institucioni i AP ka monitoruar 5 IEVP dhe ka lënë 44 rekomandime, prej të cilave 26 kanë gjetur zbatim, 6 nuk janë realizuar dhe 12 janë në proces. Rekomandimet që nuk janë realizuar lidhen kryesisht me mungesë fonde për investime dhe shtimin e numrit të stafit në IEVP.